Lluka takon drejtuesit e Bankës Botërore në Uashington, flasin për projekte konkrete

0

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e delegacionit nga Kosova ku bën pjesë edhe Ministri i Financave, Bedri Hamza, të shoqëruar nga Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u takuan me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi, Cyril Muller dhe zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm, Laura Tuck.

Në këtë takim ministri Lluka ishte shumë konkret me kërkesat e tij për financimin e projekteve zhvillimore në Kosovë, me fokus të veçantë projektin e Termocentralit “Kosova e Re”, projektin për Agrobiznes dhe projektin e Ekonomisë Dixhitale në fushën e teknologjisë informative.

Kreu i MZHE-së nga ana e tij, njoftoi drejtuesit e Bankës Botërore me ecurinë e zhvillimit të projekteve që mbështeten nga ky institucion financiar në Kosovës, siç janë ato në sektorin e energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese, respektivisht rritjen e efiçiencës së energjisë.

Ministri Lluka ka falënderuar drejtuesit e Bankës Botërore për ndihmën e vazhdueshme që po i japin vendit tonë me synim arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke theksuar se kjo mbështetje është e domosdoshme për zhvillimin e sektorëve të lartpërmendur.

Ndryshe, ministri Lluka po qëndron në SHBA në kuadër të delegacionit të Republikës së Kosovës, i cili po merr pjesë në takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington.

Share.

About Author

Comments are closed.