Prodhuesit e pijeve alkoolike i kërkojnë Haradinajt heqjen e akcizës në prodhim

0

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Pijeve Alkoolike dhe Joalkoolike, të kryesuar nga Fejzullah Mustafa.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur përkrahjen e tij për këtë shoqatë, duke theksuar se Qeveria që ai drejton do të jetë gjithnjë e hapur për bashkëpunim dhe mbështetje, pasi që këta prodhues janë partner të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e shoqatës falënderuan kryeministrin në emër të të gjithë prodhuesve për heqjen e taksës ujore, vendim që do të ndikojë në rritjen e aftësisë për të qenë konkurrent në tregjet e rajonit dhe më gjerë.

Në takim është diskutuar rreth kërkesës së Shoqatës për heqjen e akcizës në shitje dhe prodhim, që është në fuqi nga vitit 2006, por nuk aplikohet në vendet fqinje dhe as në vendet e BE-së.

Heqja e kësaj akcize, sipas Fejzullah Mustafës, do të ndikojë në rritjen e numrit të të punësuarve.

“Si prodhues, jemi në disavantazh karshi prodhuesve të rajonit dhe të BE-së”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë që ai drejton për të bërë lehtësira për prodhuesit vendor, duke theksuar se do të shihet mundësia që kjo taksë të hiqet, nëse një praktikë e tillë ekziston në vende tjera.

Share.

About Author

Comments are closed.