Bëhet për herë të parë implantimi i pajisjes tre dhëmbëzore për sinkronizimin e zemrës

0

Për herë të parë në Kosovë, Spitali Amerikan ka bërë implantimin e pajisjes tre dhëmbëzore për sinkronizimin e zemrës.

Edhe pse është transferuar nga QKUK në Spitalin Amerikan pa vetëdije, pacienti Shemsi Elshani, ka arritur që 10 minuta pas përfundimit të operacionit 3 orësh të ngrihej i vetëm në këmbë. Ndërsa ky është operacioni i parë i kësaj natyre që është realizuar në Kosovë nga stafi mjekësor i Spitalit Amerikan.

Me këtë rast, pacienti i shtrirë në këtë spital dukej ta ketë marrë veten shumë mirë menjëherë pas operacionit. Elshani tha për KosovaPress se më parë vuante nga probleme me frymëmarrje dhe lodhje e madhe, përderisa tashmë ndjehet shumë më mirë.

Elshani: Brenda 10 minutash jam ngritur në këmbë të mia

“Kam pasur probleme më herët me frymëmarrje, plogështi, lodhje e madhe, djersitje. Pa vetëdije kam ardhur në spital prej QKUK-së, prej aty më kanë transferuar në Spital Amerikan. Sot e kreva operacionin me një pajisje shumë të re. Ndjehem shumë mirë. Mund të them lirisht se me këmbë të mia kam dalë prej sallës, megjithëse brenda 10 minutash jam ngritur në këmbë të mia”, tha ai.

Ndërsa kardiologu Edis Demiri tha se ky lloj operacioni ka rrezikshmëri të moderuar, porse i mundëson pacientëve që kanë probleme me zemër të zgjeruar, rikthim në përmasa normale.

Ai shpjegoi se rezultati i operacionit të sotëm është shumë i mirë pasi që pacienti është mirë dhe brenda dy ditësh planifikojnë ta lirojnë nga spitali.

Demiri: Nesër ose pasnesër planifikojmë daljen e tij nga spitali

“Procedura shkoi shumë mirë, por teknikisht është një prej procedurave më të vështira në kardiologji për realizim teknik, për shkak të elektrodës së tretë e cila duhet të vendoset në një hapësirë të zemrës që është vështirë të arrihet. Rezultati është shumë i mirë, pacienti është mirë, stabil, në gjendje stabile dhe kësmet nesër ose pasnesër planifikojmë daljen e tij nga spitali”, tha Demiri për KosovaPress.

Ndërsa mjeku nga Kroacia, Sandro Brusich kishte ardhur për të ndihmuar dr. Demirin meqenëse kjo ishte hera e parë që një operacion i tillë po kryhej në Kosovë. Për këtë, Brusich u shpreh i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, në mënyrë që edhe pacientë të tjerë të kenë mundësinë të evitojnë problemet që kanë me zemër.

Për ndërhyrjen e  sotme, kirurgu kroat tha se pacienti ka reaguar shumë mirë ndaj kësaj baterie.

Brusich: Pacienti ka reaguar shumë mirë ndaj kësaj pajisje

“Unë kam ardhur këtu si konsulent për me e ndihmua doktorin në rast se do të ketë ndonjë pengesë gjatë vendosjes së kësaj baterie te pacienti. Rezultati ishte shumë i mirë dhe implantimi ka qenë me sukses dhe pacienti ka reaguar shumë mirë ndaj kësaj pajisje. Me eksperiencën time dua të them se pacienti ka me qenë shumë më mirë pas kësaj ndërhyrje. Unë shpresoj se kemi me vazhdua këtë bashkëpunim që ta rrisim numrin e këtyre procedurave”, theksoi ai.

Spitali Amerikan me lokacion të ri “Rr. Shkupi”, nr 25, pranë rrethit të spitalit në Prishtinë, është gjithmonë në kërkim të perfeksionit për t’i ofruar pacientëve një trajtim mjekësor profesional.

Share.

About Author

Comments are closed.