Ramiz Lladrovci betohet si kryetar i Komunës së Drenasit

0

Në seancën inauguruese të Kuvendit të Komunës së Drenasit, ne pranin e anëtarëve të rinj të Kuvendit, kryetarit të porsazgjedhur të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe musafir të tjërë të ftuar, ka dhënë betimin kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Mbledhjen e ka kryesuar anëtarja më e vjetër e Kuvendit të Komunës, Sabrije Kukaj, ndërsa pos betimin për kryetar të Komunës, e kanë dhënë edhe anëtarët e rinj të kësaj legjislature të dalur nga zgjedhjet e 22 tetorit të këtij viti.

Pas dhënies së betimit, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci të pranishmëve dhe gjithë qytetarëve të Komunës së Drenasit i është drejtuar me këtë fjalim:

Të nderuara Familje të dëshmorëve, invalid, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së administrimit të Pushtetit lokal,

Të nderuar asamblistë të Komunës së Drenasit,

Shumë i dashur Bekim Jashari, kryetar i komunës së Skenderajt,

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Sot, kam nderin që para jush, të mbajë fjalë rasti, për herë të dytë, pa u bërë ende një vit.

Kjo fjalë rasti na gjen me shumë suksese, por edhe me disa mungesa.

Në fjalimin e parë këtu, në mesin tonë ishte edhe baba Tush që sot nuk është në mesin tonë. Atëherë, pas fjalës solemne, këtu para asamblesë së kaluar, më pat thënë, “djali jem, uroj me i mbajt fjalët”.

Sot, jam krenar të deklaroj se fjalët e dhjetorit të kaluar i kam mbajtur.

Po, fjalët i kam mbajtur. Për këtë jo vetëm baba Tush, por edhe Familja ime e gjerë Lladrovci, fshati im Gllanasella dhe krejt Drenasi është krenar.

Më shumë se kurrë, është krenar çdo anëtar e simpatizant i Partisë Demokratike të Kosovës por edhe secili qytetar i Drenasit se kryetari i saj, në mandatin disa mujor, ka mbajtur fjalën.

Fjalën do ta mbaj edhe më tej. Ju siguroj, për këtë edhe zotohem.

Do të punoj me ligj, transparencë dhe llogaridhënie.
Qytetarët e Drenasit, i besuan Forcës së ndryshimit, sepse ndryshimin e kanë parë nga një janari i këtij viti deri më sot.
Çdo qytetar i Drenasit, mund të jetë krenar edhe me zotimet e mia që dikush i quante zotime fushate. Kjo del se zotimet e mia bëhen vepra. Mos kini dyshim. Fjalët e mia bëhen vepra.

Jam zotuar se do të angazhohem me tërë qenien dhe përkrahjen e Kryetarit Kadri Veseli se në komunën tonë do ta kemi stadiumin olimpik, ja, javën e shkuar, Qeveria mori vendim.

Jam zotuar në fushatë se do të ndërtoj brenda mandatit, rrugën me katër korsi, që lidh Skenderajn dhe Drenasin me Autostradën. Edhe kjo do të bëhet së shpejti.

Jam zotuar se administrata do të jetë në shërbim të qytetarit, se kursimet e buxhetit do të jenë maksimale, jam zotuar se cilësia në arsim do të rritet, se shërbimet shëndetësore do të jenë më të mira, se zyrtarët e komunës do të ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët pa dallim.

Qytetarët ma kanë besuar mandatin që po fillojmë së bashku, për të zbatuar ligjin, për të qenë në shërbim të ngritjes së cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve pa dallim.

Sot, së bashku me juve asamblistë të nderuar, do të zotohemi se së bashku do të jemi në shërbim të qytetarit.

Së bashku, Drenasin do ta bëjmë qytet të denjë për neve, fëmijët tanë dhe qytet të lakmueshëm për të jetuar e punuar.

Jam zotuar se brenda mandatit, do të heq nga rendi i ditës infrastrukturën, pra, mandati im do të heq problemet e ujit, kanalizimit dhe rrugës. Këtë do ta arrijmë së bashku. Duke qenë të bashkuar, duke qenë të sinqertë në prioritete si dhe duke respektuar ligjin.

Së bashku, ne do të bëjmë edhe shumë vepra tjera.

Qendrën rinore, qendrën e grave, stadiume për shkolla, gjelbërim dhe ndriçim, trotuare e biblioteka në fshatra.

Ne do t’i bëjmë sepse ne duam që Drenasi të jetë komunë shembullore, ashtu siç i kontribuoi lirisë, të jetë sot shembull i punës e perspektivës, për punësimin e të rinjve, për ndërmarrësin dhe për parkun e ri të biznesit.

Ne jemi komunë që ka burra e gra të zonja. Ne këtë e dëshmuam në çdo etapë të historisë tonë.

Ne këtë e dëshmuam edhe me punën tonë disa mujore. Ne nuk do të ndalemi sepse ne e njohim fuqinë e qytetarit tonë, aftësinë e zotësinë e zyrtarëve tanë, të mësuesve tanë, të mjekëve e infermierëve tanë, kemi besim te aftësitë e profesorëve tanë.
Kemi besim te qytetarët tanë e dinë se çka duan nga ne. Ata duan punë, punë dhe vetëm punë.

Ata që sot krekosen për trimëri, kanë pasur mjaftë kohë për këtë në të kaluarën. Sot jemi të përkushtuar për punë dhe respektim të ligjit.

Ne do ta ndryshojmë një herë e përgjithmonë Drenasin, nga niveli ku ishte, në krye të komunave të Kosovës për punë, rend e ligj.

Për mandatin që po vjen, së bashku do të bëjmë mrekulli, sepse ne duam të zgjidhim shumë çështje jetike të qytetarëve tanë, edhe ta ulim ndotjen, edhe shtojmë sipërfaqet e gjelbëruara në qytet, edhe ndërtimin me plan urbanistik, edhe shkolla me disiplinë e sukses në studime.

Ne duam shumë, shumë do të arrijmë së bashku.

Mua më ka besuar Kadri Veseli dhe Partia Demokratike e Kosovës ta udhëheq komunën tonë, por nga sot, unë do të jem kryetar për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse ne meritojmë të gjithë së bashku jetë më të mirë dhe më cilësore.

Më shumë punë e më shumë arsim e shëndetësi cilësore, më shumë rrugë e rregull në trafik, më shumë gjasa e mundësi për të rinjtë tanë. Për gratë dhe ndërmarrësit që kanë nevojë për përkrahje.

Ne nuk do të ndalemi të bëjmë më të mirën e mundshme për të gjithë pa dallim.

Sepse ne kemi detyrim të bëjmë vepra të mira.

Ne kemi obligim të bëjmë vepra të mira e në pajtim me ligjin, për këtë edhe na obligon ligji, por edhe nderi e dinjiteti familjar.
Sepse, ne ashtu sikur dje kemi qenë të gatshëm të paguajmë çdo çmim për lirinë tonë, sot, ne do të paguajmë çdo çmim për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë, sepse, ata neve të gjithëve së bashku na besuan.

Ne nuk guxojmë ta shpërdorojmë këtë besim.

Ne zotohemi se do të punojmë me ligj, me parimin askush mbi ligjin, me transparencë e llogaridhënie.

Faleminderit të gjithë qytetarëve që i kontribuuan procesit demokratik në komunën tonë, andaj ne detyrohemi të bëjmë edhe më shumë për të gjithë qytetarët tanë.

Në këtë rrugë të drejtë tonën, dhe në këtë rrugë tonën fisnike, neve të gjithëve, na ndihmoftë zoti.

Faleminderit të gjithë qytetarëve për besimin e dhënë. Unë fjalët i bëj vepra. Ju këtë e dini. Ashtu edhe do të jetë, për aq sa kam jetë, fjalët e mia do t’i mbajë.

Po, edhe tash, kam parasysh, zotimin ashtu si gati para një viti kur i pata thënë Babës Tush, “po i mbaj fjalët”, edhe sot këtu, para jush, zotohem sërish se po, Unë i mbaj fjalët.

Kërkoj nga Ju bashkëpunim që Drenasin ta çojmë përpara dhe të jemi krenar me komunën tonë.

Share.

About Author

Leave A Reply