Zeka jep detaje: Morina e ka gabim, Aleksandër Lumezi e di pse nuk u zbulu vrasja e Enver Malokut

0

Vrasja e veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kolumnistit të gazetës “Bota sot” Enver Maloku, ka shkaktuar përplasje mes gazetarit Bajrush Morina dhe deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka.

Në ditën kur po përkujtohet Maloku, i vrarë 19 vjet më parë, gazetari Morina ka dalë me një pretendim se i di vrasësit e tij, mirëpo nuk ka përmendur emra.

Morina përmes një postimi në Facebook, ka thënë se personat që kanë vrarë Malokun në vitin 1999 janë një deputet i Kuvendit të Kosovës dhe bashkëshortja e tij.

Ai ka thënë se këta dy persona të dyshuar për vrasje, dëshiron t’i shoh me duar të lidhura në Gjykatën Speciale.

“LUTJA IME PER DITEN E SOTME! Ne pervjetorin e 19 te vrasjes se intelektualit te guximshem Enver Malokut, kisha dashte me i pa me duar lidhur e te nisur per ne Speciale, nje deputet te Kuvendit te Kosoves dhe bashkeshorten e tij! Kush jane ata e dijne me se miri: – Zoti, i qofshim fale atij! – Shpirti i Enver Malokut, e – Dy te dyshuarit per kete vrasje”, ka shkruar ai.

Mirëpo me Morinën nuk është pajtuar deputeti nga Nisma për Kosovën Milaim Zeka, i cili madje ka thënë se gazetari ia ka huq keq me këtë deklaratë.

Sipas Zekës, vrasësi i Enver Malokut nuk është brenda Kuvendit të Kosovës. Zeka në postimin e tij në Facebook, ka thënë se e di në kënd po aludon Bajrush Morina, por sipas tij, Maloku është vrarë nfa “mashat” serbe në Kosovë.

“Bajrush Morina ja huqe keq. Nuk ka vrases te Enver Malokut brenda Kuvendit

Ish kolegu im, Bajrush Morina, sot kur eshte dite zie per te gjithe ata qe e kane daahur, nderuar, respektuar e vleresuar Enver Malokun, doli me nje lajm bombe, duke thene qe “vrasesi i Enver Malokut eshte nje deputet i Kuvendit te Kosoves dhe grueja e tije”! Me shume saktesi e di se ne kend po aludon Bajrush Morina, mirepo kjo nuk eshte e vertete. Eshte e vertete qe drejtesia nderkombetare ka punuar ne zbardhjen e ketij rasti, edhe te Sabri Hamitit, ama asnje deputet aktual nuk eshte i dyshuar per keto raste. Enver Malokun e kam pas shef ne QIK nja 9 vite. Pse ka qene shume i zoti, shume i mençur e shume shqiptar, Serbia e vrau, permes mashave te veta ne Kosove!!!”, ka shkruar Zeka në reagimin e tij kundër Morinës.

I kontaktuar edhe nga gazeta “Bota sot”, deputeti Zeka nuk ka pranuar të tregojë emra, të dyshuar për vrasjen e Malokut, por ka thënë se aludimi i Morinës është i gabuar.

Edhe pse ka pohuar se Serbia ka të instaluar “masha” të saj, brenda Kuvendit të Kosovës dhe medias vendore, deputeti Zeka nuk ka dashur të përmend emra.

Por, ai ka pranuar se drejtësia ndërkombëtare ka punuar për të zbardhë vrasjen e Enver Malokut dhe të Sabri Hamitit.

“Po qato masha të Serbisë i ke gjithkund, i ke edhe në parlament, i ke edhe në media te bosat e mediave, gjithkah i ke. Unë veç kam thënë se aludimi i Bajrush Morinës është i gabueshëm. Mirëpo që bashkësia ndërkombëtare ka punuar të zbardhë vrasjen e Enver Makolut e të Sabri Hamitit e plot vrasje të tjera, ajo është e vërtetë. Ama aludimi i tij është i gabueshëm, çka pasur për të thënë e kam shkruar”, ka deklaruar Zeka për “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur se pse nuk po zbardhet kjo vrasje, deputeti i Nismës ka thënë se për këtë duhet të pyetet kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe se është Gjykata Speciale, ajo që do të merret me këto raste.

“Sa i përket asaj pse nuk është zbardhë vrasja, e din Aleksandër Lumezi. Pikërisht pse nuk janë zbardhur këto vrasje, është krijuar Gjykata Speciale”, ka shtuar deputeti Milaim Zeka.

Share.

About Author

Leave A Reply