Reagon Haradinaj për deklaratat e Shkumbin Mehmetit

0

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë është deklaruar lidhur me reagimet e fundit nga Zyra e Bashkimit Evropian për tërheqjen e iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Haradinaj ka thënë se iniciativa e deputetëve për anulimin ose shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Posaçme respektohet nga Qeveria, sepse sipas tij, Kosova ka respektuar ligjet ndërkombëtare të misioneve të ndryshme për drejtësi që nga paslufta.

Haradinaj: Iniciativa e deputetëve për shfuqizimin  e Speciales respektohet prej Qeverisë

“Kosova e ka respektuar ligjin ndërkombëtar, OKB-ja ishte tetë vjet, tribunali për Ish-Jugosllavi, EULEX-I gati dhjetë vjet, edhe një gjykatë që është një etnike që gjykon vetëm në baza etnike dhe që nuk e ka selinë në Kosovë, andaj është gabim edhe për këtë arsye në atë kohë Aleanca, por edhe subjekte të tjera kanë votuar kundër. Iniciativa e deputetëve për anulimin ose shfuqizimin e ligjit për dhomat e posaçme respektohet prej ekzekutivit, pra prej Qeverisë, por ne nuk kemi përgatitur ndonjë propozim ligjor ose nuk ka qenë pjesë e strategjisë legjislative dhe nuk presim që kjo me ndodhë në të ardhmen, ose  një projekt I tillë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj është pyetur edhe për deklaratat e dëshmitarit të Prokurorisë Speciale Shkumbin Mehmeti i cili mbrëmë në një intervistë televizive  ka akuzuar për vrasjet e pasluftës  shumë persona nga rajoni i Dukagjinit nga vjen kryeministri. Haradinaj tha se është habitur me këtë mënyrë të komunikimit ndonëse siç tha nuk e ka parë intervistën.

Haradinaj: Spektakël medial nga burgu

“Jam habitur me këtë mënyrë të komunikimit, një person nga burgu me dhënë intervistë, diçka është e çuditshme dhe në sistemin e drejtësisë nuk lejohet kjo. U tha se ai ka pasur një leje prej gjykatësve, mirëpo të gjithë ato deklarata ishte dashur me qenë materie për prokurorë dhe gjyqtarë. Sidomos nëse ato ekzistojnë mbi dhjetë vite aq sa, pra ishte dashtë ato me dhënë rezultate dhe jo me u bërë spektakël medial. Imagjinoni sa është I përgjegjshëm kur flet dhe zakonisht këto filtrohen dhe janë materie vetëm e instancave ligjore. Pra, jam habitur, por unë se kam parë intervistën, por pash shumë reagime të asaj që u thanë. Jam habitur!”, tha Haradinaj.

Ai ka komentuar edhe rrahjen e kryeshefit të Telekomit të Kosovës Agron Mustafa nga dy policë të Kosovës ku tha se  për këto  veprime  do merret hetuesia.

Haradinaj: Nuk është në rregull me reflektuar kryeministri për rastin Mustafa

“Nuk është heshtje, ne jemi mësuar shumë punë me i bërë publike dhe mos me punuar profesionalisht dhe zakonisht politikanët me dal dhe me thënë: e dënojmë këtë e bëjmë këtë”. Kjo është një situatë tejet e ndjeshme. Drejtori I Valës, Mustafa dhe zyrtarë e përfshirë në këtë incident janë zyrtarë të policisë. Edhe besoj se jeni dakord të gjithë se në kanalet  punës veprohet, por nuk ka kanale publike në këtë rast që është brenda institucioneve. Besoj se në kanalet e punës veprohet dhe të gjithë mekanizmat si në kuadër të policisë, siç është inspektorati hetimor, ku besoj se do të kemi  edhe njoftim për opinion se çfarë ka rezultuar. Nganjëherë kur ka hetime, kryetari I Qeverisë, në këtë rast nëse pozicionohet ose jep një mendim nuk është shumë në rregull. Sepse bëhet fjalë për agjenci ose për policinë, edhe nuk janë veprime në rregull këto. And aj, janë edhe një farë treguesi këto, për një degradim në nivele të caktuara në institucione, andaj, nuk kalojnë këto pa u reflektuar”, ka thënë kryeministri.

Ndërsa, për marrjen e pasaportës së Shqipërisë dhe për shqetësimet e qytetarëve, kryeministri Haradinaj ka thënë se gjatë ditë së djeshme e ka tërhequr pasaportën shqiptare në Tiranë,  por se nuk do ta përdorë për udhëtim, sepse posedon pasaportën diplomatike.

Haradinaj:  Pasaportën  shqiptare nuk do ta përdori për udhëtime

“Vendimi për shtetësi ka qenë një dekret i ish presidentit Nishani një vit më herët, unë e kam respektuar atë vendim, nuk e kam kërkuar në atë kohë, mirëpo e kam tërhequr dje pasaportën në Tiranë, në fakt nuk e përdori për udhëtim, sepse unë kam pasaportën diplomatike të Kosovës, por e pranoj si nderë, nuk di a do ta përdori ndonjëherë. Shqetësimet e qytetarëve janë të arsyeshme, sepse jemi të izoluar qe një kohë si popull, si vend, si njerëz”, ka thënë Haradianj.

Ai shtoi se i kupton shqetësimet e qytetarëve për izolimin e Kosovës, për shkak të mos liberalizmit të vizave.

Share.

About Author

Leave A Reply