Kullat e Jasharajve në ‘luftë’ me kohën e ‘mëshirën’ e shtetit për të intervenuar (VIDEO)

0

Kullat e Jasharajve në Prekaz i rezistuan tankeve dhe artilerisë së forcave serbe gjatë luftës.

Mirëpo, 18 vite pas përfundimit, sot ato rrezikohen të rrënohen për shkak të mos konservimit të tyre.

Kullat të cilat janë simbol i luftës dhe historisë së familjes Jashari, janë në rrezik nga shembja për shkak të vjetërsisë, shkruan Indeksonline.

Xhevat Imeri, ciceron në Kompleksin Memorial në Prekaz për Indeksonline ka deklaruar se këto kulla janë në rrezik të shemben për shkak të kohës, ai iu bënë apel institucioneve për ndihmë.

“Urojë që nuk do të këtë kohë më shumë që t’i rrah bora e shiu por, të kenë fatin të konservohen dhe të marrin meritën që e meritojnë. Ju bëjë apel që ata që kanë pozicione të fuqishme, që kanë mundësi të ndërmarrin diçka, të kenë konsideratë sepse është vend ku mbi gjakun e sakrificën ka filluar lufta, të bëjnë diçka më shumë sepse janë fëmijët tanë ata të cilët do të mburrën nga kjo histori, dhe nga gjaku i atyre që kanë rënë” ka thënë Imeri.

Ai ka thënë se dikund mbi 12 milionë njerëz e kanë vizituar këtë kompleks memorial. Mirëpo, gjendja e sigurisë nuk është aspak në nivel të duhur.

“Kulla ka pësuar nga koha dhe fatkeqësisht nuk është e siguruar. Nuk ka rregull këtu dhe stafi është shumë i vogël dhe numri i vizitorëve është shumë i madh. Ka raste brenda një ditë 200 autobusë dhe ju kemi kërkuar që brenda objekteve mos të hynë për shkak se nuk ka siguri. Në një prej vizitave kanë hyp nxënësit në kullë, dhe kem pas fatin me shpëtuar pas ka rënë ballkoni, ata kanë ra por, kanë qenë skelet që i kanë mbrojtur” është deklaruar ai për Indeksonline.

Komuna e Skenderajt nuk mbanë përgjegjësi për shkatërrimin e kompleksit, pasi ky memorial është në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.

Mirëpo, Ramiz Shala, zëdhënës dhe drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Skenderaj për Indeksonline ka thënë se ata janë në gjendje të iu ndihmojnë çka do që munden, vetëm që të shpëtohen kullat.

“Sigurisht ne me ardhjen e Bekim Jasharit në krye të Komunës së Skenderajt, kemi bërë hapat e parë në këtë drejtim. Sigurisht edhe lidhja emocionale dhe duke e ditur rëndësinë që kanë kullat, në vazhdën e tyre ne kemi takuar përgjegjësin për memorialet, përkatësisht Idriz Blakajn dhe kemi kërkuar përkushtimin e tij për këtë kompleks që të zhvilloj procedurën e restaurimin të kullës, se ato janë në gjendje të mjerueshme në kuptimin e pamundësisë së pritshmërisë të procedurave ose të ndonjë pengesë. Si komunë me përkushtimin e kryetarit jemi në gjendje të ju ndihmojmë gjithçka qka na u kërkohet neve se kompleksi është brenda territorit të komunë sonë dhe sigurisht ne nuk mundemi të rrimë indiferent mirëpo, nuk kemi kompetenca që të bëjmë hapa konkret. Por të kishte komuna ingorenca të tilla, brenda 45 ditë gjendja këtu do të ndryshonte” ka thënë Shala.

Ai ka kërkuar nga institucionet të marrin masa të menjëhershme sa nuk janë rrënuar kullat.

“Ju bëjë ftesë gjithë institucioneve relevantë që të marrin hapa të nevojshme, që këto kulla të shpëtohen nga rrënimi, se po u rrënuan atëherë edhe krejt buxheti i shtetit lë të derdhët në atë nuk ka ndonjë vlerë” ka shtuar Shala.

Këto kulla përballuan 36 orë granatime nga forcat serbe. Sot, ato janë në luftë me kohën dhe ‘mëshirën’ e shtetit për t’i mbrojtur nga shembja.
Komisioni për Planifikim Hapësinor dhe deputetet në seancën e djeshme diskutuan për gjendjen e kullave në Prekaz. /Indeksonline/L.Thaçi.

Share.

About Author

Leave A Reply